Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 18:30

SHKUP-Prokuroria Publike e Maqedonisë ka ngritur padi penale kundër Universitetit Shtetëror të Tetovës për shkak të himnit kombëtar shqiptar.

Kjo është bërë e ditur të mërkurën nga kryeprokurori i përgjithshëm i vendit, Lupço Shvrgovski, i cili theksoi se akuza që do të ngrihet kundër USHT-së bazohet në vepër penale për “nxitje të urrejtjes nacionale, racore dhe fetare” lidhur me këndimin e himnit kombëtar shqiptar me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2012/2013 në USHT.

“Do të kërkojmë nga organet e rendit të vërtetohet se kush është organizatori i kësaj ngjarje dhe të mund të shqyrtojmë rastin për të vendosur se a do të ngrejmë padinë penale”, theksoi kryeprokurori Shvrgovski, raporton INA.

Mediat maqedonase një ditë më parë reaguan lidhur me këndimin e himnit kombëtar në USHT, ndërsa ministri i Arsimit Pançe Kralev deklaroi se duhet të ngrihet procedura penale për shkeljen e ligjit.

Ai kërkoi që institucionet e tilla duhet të respektojnë kushtetutën e vendit, dhe këndimin e himnit shtetëror të Maqedonisë. Zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri deklaroi se nuk duhet problematizuar rasti, për shkak se bëhet fjalë për himnin e flamurit kombëtar shqiptar dhe jo për himn të ndonjë shteti tjetër. (LajmeShqip.com)