|
|
e Mërkurë, 19 Shtator 2012 17:25 Paris - Franca vendosi masa parandaluese për përforcimin e sigurisë në ambasadat e saj.
Ministri francez i Punëve të Jashtme Loran Fabius në një intervistë për radion Frans Info e konfirmoi këtë informatë.
“Dërgova instruksione deri te të gjitha vendet ku mund të ketë probleme, të merren masa të sigurta parandaluese”, tha Fabius, duke e pranuar pastaj se është i shqetësuar.
Shefi i diplomacisë franceze publikimin e karikaturave të profetit Muhamed në javoren “Sharl Hebdo” e vlerësoi si “hedhje vaj në zjarr”.
“Në Francë, mbizotëron parimi i lirisë së shprehjes dhe nuk duhet të ofendohet. Në kontekstin e tanishëm, me shfaqjen e filmit të tillë, dhe videos e cila ishte publikuar, ka shumë emocione tek shumë myslimanë. Për këtë pyetem nëse është zgjuarësi të hidhet “vaji në zjarr”, tha Fabius.
Kryeministri francez Zhan-Mark Ejro sot kumtoi se është dorëzuar kërkesa për mbajtje të protestës në Paris për të shtunën e ardhshme kundër filmit kontestues, njëkohësisht duke paralajmëruar se kërkesa e tillë me siguri nuk do të pranohet nga prefektura parisiene.(LajmeShqip.com)