Lajme Shqip e Mërkurë, 21 Dhjetor 2011 21:05

Beograd-Serbia nuk ndryshon politikë ndaj Kosovës edhe pas vendimit të samitit të 9 dhjetorit që i mohoi asaj statusin e vendit kandidat.

Ka qënë kjo deklarata e ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremiç, gjatë takimit “Serbia dhe BE-Quo Vadis” në Beograd, ku ai tha se Serbisë iu kërkua në mënyrë të qartë që të heqë dorë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB, kur bëhet fjalë për prezantimin rajonal të Kosovës.

“Serbia nuk planifikon që në asnjë mënyrë të shuajë zërin e Prishtinës në forumet rajonale. Por, pala tjetër insiston që kjo të mos jetë çështje e pjesëmarrjes, por e anëtarësimit, gjë që ne nuk mund të pranojmë”, ka thënë Jeremiç, i cituar nga agjencia serbe e lajmeve B92.

Serbia nuk arriti të marrë statusin e vendit kandidat për në BE në muajin dhjetor, për shkak të kundërshtimit nga ana e Gjermanisë, pas incidenteve të dhunshme në veri të Kosovës, ku mbetën të plagosur dhjetra ushtarë të KFOR-it, mes të cilëve edhe ushtarët gjermanë.

Këshilli i BE-së do të marrë vendimin në mars të vitit të ardhshëm nëse Serbisë do t’i jepet statusi i kandidatit, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe do të shihet nëse Serbia po implementon marrëveshjet e arritura me Kosovën gjatë dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.