Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 15:19

Shkup – Kontesti i emrit dhe pasojat që mund t’i paraqesë vënia e përmendores së Lekës së Madh në raportet midis Shkupit e Athinës, kanë qenë tema kryesore e bisedimeve e ambasadorit të SHBA-ve në Shkup, Filip Riker dhe Peter Sorensenit të BE-së, me ndihmëssekretarin shtetëror amerikan Filip Gordon, në Prishtinë.

Gordon nuk erdhi në Shkup, por i ftoi tëvdy ambasadorët më me peshë në vend, që të takohen në Prishtinë. Siç bëhet e ditur nga burime diplomatike, Uashingtoni dhe Brukseli zyrtar janë shprehur të shqetësuar që autoritetet e Shkupit, në vend që t’i dëgjojnë apelet e tyre për mbyllje më të shpejtë të çështjes së emrit, bëjnë poteze që edhe më shumë e rëndojnë procesin negociues.

Tre zyratët në bisedat e ndërsjella kanë theksuar se Maqedonia edhe më tej sorollatet në vend, pa pasur mundësi të bëhet anëtare e NATO-s dhe me këtë t’i fillojë bisedimet me BE-në, nëse në afat të shkurtër e zgjedh kontestin bilateral me fqiun e saj. Edhe pse administrata amerikane zyrtarisht nuk është prononcuar se përse Shkupi nuk u gjet në agjendën e Gordonit, por ata vendosen që ta ftojnë Rikerin në Prishtinë, burime diplomatike informojnë se arsyeja është se ende nuk është formuar qeveria e re, dhe se aktualja në krye me Gruevskin, nuk ka ndonjë qëndrim të ri lidhur me kontestin e emrit.

Vizita e Gordonit në Prishtinë ishte pjesë e turneut të tij në Ballkan, që ka inkorporuar edhe Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën. Maqedonia këtë herë nuk u gjet në agjendën e ndihmëssekretarit të Hillari Klintonit. Gordon ka qenë në Maqedoni vitin e  kaluar, në muajin maj, në tentim që të shihet me kryeministrin Gruevski, por kryeministri maqedonas në atë periudhë ishte në Maroko dhe takimi mes tyre u mbajt në terren neutral, në Zagreb.