Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 18:26

Siri – Një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite informoi se ushtria siriane ka përdorur në disa raste armë kimike, në luftimet e saj me kryengritësit brenda vendit.

Gjenerali i brigadës, Itai Brun, deklaroi të martën se Shërbimet Inteligjente të Ushtrisë Izraelite besojnë se gazi vdekjeprurës sarin është përdorur në “të paktën disa raste”.

Duke folur në një konferencë mbi sigurinë në Jeruzalem, gjenerali Brunt ha: “Në vlerësimin më të mirë të informacioneve tona, regjimi ka përdorur armë kimike në disa raste përballjesh me rebelët në të shkuarën”.

”Ne kemi fotografi të viktimave me të vjella përreth gojës e bebet e syve të zmadhuara, që janë simptoma specifike të përdorimit të armëve kimike vdekjeprurëse. Çfarë llojë armësh kimike janë përdorur? Me shumë mundësi gazi sarin. Regjimi gjithashtu përdor edhe gaz paralizues, i cili nuk është vdekjeprurës, në mos përdoret si mënyrë për të neutralizuar armiqtë e çmobilizuar më pas”, shtoi gjenerali.

Qeveria e Sirisë dhe kryengritësit kanë akuzuar njëri-tjetrin për përdorimin e armëve kimike në të shkuarën.

Një ekip i Organizatës së Kombeve të Bashkuara po përpiqet të hyjë brenda Sirisë për të hetuar incidentet.

Në të shkuarën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se përdorimi i armëve kimike në Siri do të tejkalonte “atë vijë të kuqe”, përtej së cilës Uashingtoni nuk mund të qëndrojë më indiferent në këtë konflikt.

Ekspertët sugjerojnë se nëse raporti i ushtrisë izraelite do të konfirmohet, presidenti Obama do të reagojë fillimisht duke vendosur që të rrisë ndihmat e SHBA-së për kryengritësit.(LajmeShqip.com)