Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 20:00

Beograd-Serbia paralajmëron heqjen dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë. Javën vijuese, paralajmërohet mundësia që Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi të marrë vendim për hapat që do të ndiqen në lidhje me zgjedhjet lokale, sidomos lidhur me organizimin e tyre në Kosovë.

Trysnia ndërkombëtare dhe refuzimi i administratës së UNMIK-ut që t’i organizojë këto zgjedhje, duket të kenë qenë vendimtare që Beogradi të mos mbajë këto zgjedhje brenda territorit të Kosovës.

Sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi ende nuk është marrë, por mund të pritet ditëve në vijim. “Nëse UNMIK-u nuk i përkrah zgjedhjet lokale, teknikisht mbajtja e tyre do të jetë gati e pamundur”, tha Oliver Ivanoviç.

Megjithatë, me mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale, Qeveria në Beograd nuk ka hequr dorë edhe nga mbështetja e mëtutjeshme për strukturat komunale që ka ngritur nëpër komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat për institucionet e Kosovës njihen si ilegale.

Ivanoviq tha se organet serbe nëpër komunat e Kosovës do të marrin mandat shtesë duke u bazuar në ligjin serb për vetëqeverisje lokale. “Në rast nuk mbahen zgjedhjet, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale të Republikës së Serbisë është e mundur të emërohen këshillat e përkohshëm dhe mendoj se do të gjenden zgjidhje ligjore edhe për ato komuna ku qeverisjes lokale i ka skaduar mandati”, sqaron Ivanoviç.

Ndërkohë, Beogradi po i vazhdon konsultimet me praninë ndërkombëtare në Kosovë për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Mirëpo, Parlamenti i Kosovës, përmes një rezolute, i ka shpallur ilegale dhe të ndaluara zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë brenda territorit të Kosovës. (REL)