Lajme Shqip Saturday, 14 January 2012 12:41

Romë - 6 njerëz kanë vdekur dhe disa të tjerë janë zhdukur, pasi një anije turistike italiane, me më shumë se 4.000 njerëz në të, ngeci mbrëmë në rërë dhe u mënjanua, duke shkaktuar skena paniku.

“Ka 6të vdekur që janë verifikuar”, ka lajmëruar Xhuzepe Linardi, një zyrtar i lartë i sigurisë publike në Groseto, duke shpjeguar vështirësitë në procesin e shpëtimit, që çoi në konfuzione lidhur me shifrën e të vdekurve.

Anija “Kosta Koncordia” ishte duke udhëtuar nëpër Mesdhe, kur ngeci në rërë në afërsi të ishullit Giglio, në kohën kur udhëtarët ishin ulur për të darkuar. Disa prej tyre, nga paniku, kërcyen menjëherë në ujin e akullt.

“Kishte skena paniku sikurse në Titanik. Ne ngecëm në rërë, në shkëmbinjtë afër ishullit të Giglios. Nuk e di se si mund të ketë ndodhur një gjë e tillë. Kapiteni është i çmendur”, citohet të ketë thënë udhëtarja Mara Parmexhani për mediat italiane.

Zyrtarët lokalë thonë se të paktën 14 persona janë lënduar. Nga ana tjetër, rreth 20 njerëz janë shpëtuar me helikopterë.