Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 11:58

Beograd – Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka dhënë dorëheqje nga ky post, i pakënaqur me marrëveshjen ndërmjet Beogradit e Prishtinës, e cila është arritur javën e kaluar në Bruksel.

“Sot para jush dhe para popullit, e nesër para qeverisë dhe Partisë Progresive Serbe, më duhet të paraqes dorëheqje në postin e drejtorit të zyrës”, i tha Vulin, Radio Televizionit të Serbisë, mbrëmë vonë.

Ai ka theksuar se edhe gjatë negociatave në Bruksel ishte kundër formës së marrëveshjes, e cila në fund u pranua.

“U kam premtuar serbëve në Kosovë se marrëveshja do të jetë tjetërfare dhe se do ta arrijë atë që ndoshta është e pamundshme”, tha Vulin, dhe ka shtuar se pajtohet plotësisht me kërkesën e serbëve të Kosovës, që për marrëveshjen Serbi – Kosovë të mbahet referendum.(LajmeShqip.com)