Lajme Shqip e Mërkurë, 11 Korrik 2012 09:03

Athinë – Sulmet ksenofobie ndaj emigrantëve dhe refugjatëve po kthehen në një fenomen shqetësues në Greqi, ku vështirësitë ekonomike dhe krimi kanë nxitur dhunën e bandave të ekstremit të djathtë, tha këtë të martë grupimi i të drejtave të njeriut, Human Rights Wahtch(HRW).

Dhuna ksenofobike ka njohur rritje, një fakt i njohur dhe tronditës, tha në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi nga SHBA, i HRË, Judith Sunderland.

“Nuk po shohim një përgjigje adekuate nga shteti grek. Ne kemi vënë re se arrestimet janë të rralla dhe mosveprimi i policisë është kthyer në një rregull të përgjithshëm”- tha ai.

Sulme të tilla zhvillohen paralelisht me ngritjen e një formacioni politik neo-nazist “Agimi i Artë” që ka premtuar se do ta shpëtojë vendin nga emigrantët e paligjshëm, duke u përfaqësuar me 18 deputetë në parlament, për herë të parë në historinë e Greqisë. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, HRW mendon se dhunuesit janë anëtarë të këtij grupimi.

Human Right Watch thotë se policia greke shpesh herë i ka kërcënuar me arrestim emigrantët të cilët kanë denoncuar dhunë në, duke luajtur kështu një rol dekurajues. “Ne duam që Evropa të marrë masa për atë që po ndodh në Greqi,” tha Sunderland gjatë një konference për shtyp në Athinë.

Greqia është një qendër e madhe e emigracionit të paligjshëm, ku gati 100.000 njerëz janë arrestuar për kalim të paligjshëm kufiri vitin e kaluar, ndërsa ka patur rreth 30.000 kërkesa për azil.

Edhe qeveria e Samaras ka premtuar se do të luftojë emigracionin e paligjshëm, të cilin gjatë fushatës elektorale të pak kohëve më parë e quajti “pushtim të paarmatosur”

Sipas HRW-së, Greqia tashmë ka rreth 800.000  emigrantë të ligjshëm, shumë prej të cilëve kanë ardhur nga Shqipëria,  dhe një numër të madh të emigrantëve të paligjshëm që konsiderohen diku tek 350.000, të ardhur nga Afganistani, Pakistan, etj. (LajmeShqip.com)