Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 23:32

Adolf Hitler e ka sajuar vetëvrasjen e tij, ndërsa ka ikur në Argjentinë ku ka jetuar derisa ka ndërruar jetë. Kjo bëhet e ditur nga disa të dhëna të reja të publikuara në “Grey Wolf: The Escape Of Adolf”. Autorët besojnë se provat e vetëvrasjes së tiranit janë me të ‘meta’. Ata besojnë se ai në fakt është arratisur në vitin 1945 për të filluar një jetë të re me gruan e tij Eva Braun. Por, këto pretendime janë hedhur poshtë si “qesharake” nga historiani Guy Walters.

Fluturimi i Hitler dhe Braun nga Berlini është treguar nga autorët britanikë Williams Gerrard dhe Simon Dunstan në librin e tyre të ri. Ata refuzojnë teorinë që pranohet gjerësisht që ‘Fuhrer’ qëlloi veten në bunkerin e Berlinit më 30 prill 1945 dhe Braun kreu vetëvrasje duke marrë cianur. Në vend të këtij versioni, ata pohojnë se ka prova që sugjerojnë që çifti shpëtoi në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke nisur një jetë të re në një enklavë naziste-fashiste të kontrolluar në Argjentinë. Madje ata shkojnë dhe më tej, kur thonë se çifti kishte dy vajza para se Hitleri të vdiste në vitin 1962 në moshën 73-vjeçare.

Williams, historian dhe gazetar që ka shkruar gjerësisht rreth Luftës së Dytë Botërore, tha për Sky News: “Ne nuk duam të rishkruajmë historinë, por të dhënat që kemi zbuluar në lidhje me arratisjen e Adolf Hitlerit janë shumë të mëdha për t’u injoruar”. “Nuk ka prova mjeko-ligjore për të, apo vdekjen e Eva Braun, ndërsa historitë nga dëshmitarët okularë për mbijetesën e tyre të vazhdueshme në Argjentinë janë bindëse”.

Libri gjithashtu thotë se, zyrtarët amerikanë të zbulimit pretendohet se ishin pjesëmarrës në ikjen e tyre, në këmbim të qasjes ndaj teknologjive të luftës të zhvilluara nga nazistët. Libri gjithashtu thotë se pjesët e kafkës që mendohet të jenë ato të Hitlerit dhe që mbahen aktualisht nga rusët në fakt janë ato të një gruaje të re nën moshën 40 vjeç. Hitleri ishte 56 vjeç kur ai vdiq.

Williams tha se ai dhe Dunstan, autor, krijues filmash dhe fotograf, i specializuar në historinë ushtarake, kanë kryer studimin e tyre në terren në Argjentinë, duke intervistuar dëshmitarët okularë për praninë e Hitlerit atje. “Vetëm tani që Argjentina është një demokraci e lulëzuar, historitë e vërteta kanë filluar të dalin në dritë”. Sipas tij, “dy dëshmitarë okularë kanë marrë kërcënime me vdekje nga persona të panjohur, pasi kanë punuar për këtë libër”.

Por, pretendimet e bujshme janë quajtur qesharake nga historianët, duke përfshirë Walters, i cili ka studiuar gjerësisht Gjermaninë naziste dhe ka shkruar një seri librash për luftën. Ai etiketoi idenë se Hitleri jetonte në Amerikën e Jugut deri në 1960, si “më të keqen” që u mbështetet në “burime sekondare të dyshimta”. Walters pranoi se autorët kanë të drejtë kur thonë se kafka e marrë nga rusët nuk ishte ajo e Hitlerit, kjo pasi në atë bunker kishte shumë njerëz. Por, ideja që Hitler kishte ikur në Argjentinë, sipas tij, nuk qëndron. Rochus Misch, 94 vjeç, ish-operator në radio i Hitlerit dhe i mbijetuari i fundit i bunkerit të Berlinit, thotë se pa trupat e “shefit” dhe Eva Braun me sytë e tij. “Unë isha në dhomën ngjitur, kur ai qëlloi veten. Unë nuk e dëgjova të shtënën, por pashë trupin e tij kur dera u hap. “Unë pashë Hitlerin ra me kokën mbi tryezë. Pashë Eva Braun të vdekur, ulur në cep të divanit, me kokën e saj të kthyer nga Hitleri dhe gjunjët e mbledhur deri në gjoks”. Historianët e mbajnë atë si një burim i besueshëm dhe ai është autor i një libri, i botuar disa vite më parë, i quajtur dëshmitari i fundit.

Por, Williams dhe Dunstan pretendojnë se një trup i një viktime tjetër zuri vendin e Hitlerit dhe një aktore zuri vendin e Eva Braun më 27 prill. Kështu, që të dy u larguan nga Berlini dhe udhëtuan për në Tonder në Danimarkë. Prej atje, ata fluturuan në një bazë ushtarake në Reus, në jug të Barcelonës, para se gjenerali Franko të furnizonte një avion për t’i marrë ata të Fuerteventura në ishujt Kanarie. Më pas në Mar de Plata. Libri përfshin gjithashtu dëshmi nga piloti që supozohet që çoi Hitlerin dhe Eva Braun nga Berlini për në Mar Del Plata në bregdetin argjentinas. Këtu thonë se jetonin në një shtëpi prej druri në një fshat të largët ku mbijetuan, falë arit të plaçkitur dhe stolive. Libri citon një numër burimesh, të tilla si kuzhinierët dhe mjekët.

Por kjo nuk është hera e parë që thuhet se Hitleri është larguar në Argjentinë. Autori Abel Basti pohoi të njëjtën gjë në vitin 2003 në librin e tij. Ai tha se Hitleri dhe Braun u larguan për në brigjet e Argjentinës në bordin e një nëndetëse dhe jetuan për shumë vite në afërsi të San Carlos de Bariloche, një vend turistik dhe vend skish rreth 1,000 kilometra në jugperëndim të Buenos Aires.

 Ai pohoi se Ranch Incalco, i vendosur në Villa la Angostura në brigjet e liqenit Nahuel Huapi, ishte streha e zgjedhur nga nazistët argjentinas për të fshehur çiftin. I vendosur në mes të një pylli me pisha, vendi mund të arrihej vetëm me anije ose hidroplan, dhe i përkiste biznesmenit argjentinas Jorge Antonio, një nga miqtë më të besuar të president, Perón Juan Domingo./shekulli/