Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 15:11

Tiranë – Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, autorizoi Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare, AKEP, të hapë garën për dhënien e një licence 3G për operatorët e telefonisë mobile.

Çmimi dysheme i kësaj gare është 12.5 milionë euro dhe kushtet ligjore e teknike janë po ato të garës për licencën e parë 3G, që u hap në vjeshtë të vitit të kaluar. Kjo garë u fitua nga kompania “Vodafone Albania” me ofertën 31.4 milionë Euro.

Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë (të njohura si 3G apo Third Generation) nga kompanitë celulare, sjellë një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në telefonat e pajisjet celulare dhe rritë shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate.

Duke aplikuar teknologjitë 3G, hidhet një hap tjetër i rëndësishëm në realizimin e projektit “Shqipëria Digjitale”.

Tenderi që do të çelet ditët e ardhshme do të administrohet nga AKEP.

Dhënia e licencave 3G është një proces hapash suksesivë, që vijon në kohë, siç dëfton edhe përvoja e vendeve të tjera që kanë aplikuar më herët teknologjinë 3G.

Siç është dëshmuar edhe më parë, Qeveria edhe në këtë rast inkurajon konkurrencën e nuk toleron situata monopolistike në treg.