Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 09:24

Sulmet kibernetike në Kosovë janë dyfishuar gjatë këtij viti, pavarësisht rritjes së sigurisë për mbrojtjen e teknologjive dhe aplikacioneve kompjuterike. Të dhënat e Policisë së Kosovës flasin për rritje të sulmeve nga hakerët, në sistemet kompjuterike të institucioneve, organizatave e individëve.

Ndonëse nuk bëhen me dije se cilat institucione janë atakuar më shumë, Policia e Kosovës bën me dije se që nga fillimi i vitit janë raportuar gjithsej 25 raste. Derisa ky numër është evidentuar vetëm për nëntë muajt e këtij viti, të dhënat e Policisë tregojnë se gjatë gjithë vitit të kaluar janë raportuar 24 raste të sulmeve nga hakerët.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës konfirmon për “Zërin” se sivjet numri i sulmeve është rritur dukshëm, nëse kjo krahasohet me dy ose tri vitet e kaluara. Në vitin 2012 janë raportuar vetëm 11 raste, ndërsa në vitin 2013 janë 19 raste të paraqitura në Polici.