Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 11:50

Londër – Grupi i hakerëve “Anonimus” u kanos se sot tërësisht do ta ndërpresë Internetin në “Operacionin errësira”, i cili grup në forume të ndryshme shkaktoi debate të shumta nëse ekziston mundësia për një gjë të këtillë.

Grupi i hakerëve i cili është formuar në vitin 2008 ka paaftësuar sajte të shumta, pohon se do ta bllokojë Sistemin e emrave të domeneve (DNS).

Eksperti britanik dhe profesori Alan Vudvord thekson se nëse ka sukses kjo gjë do të rrëzohet “emëruesi telefonik i gjithë internetit”, i cili ueb adresat i shndërron në të ashtuquajturin internet protokoll, dhe në këtë mënyrë interneti do të bëhet i padobishëm.

Të tjerët pohojnë se kjo gjë është e mundur të zbatohet nëse në nivelin më të lartë të DNS-së kryhet sulm në mënyrë që internet serveri ngarkohet me kërkesa të shumta sa nuk është në gjendje t’i përgjigjet kërkesave legjitime, që më pas do të bartej në të gjithë rrjetin. Kjo mund të arrihet, nëse hakerët shfrytëzojnë kompjuterë të tjerë, të cilët me ndihmën e viruseve do ta shndërronin në “robotë për dërgimin e kërkesave”, me ç’rast pronarët e kompjuterëve nuk do të ishin të vetëdijshëm për këtë gjë.

Teknika e njëjtë është shfrytëzuar në fund të shkurtit kur është parandaluar qasja deri te faqja e Interpolit. Por, mbetet pyetja, nëse është e mundur të shfrytëzohen procedura të ngjashme që të ndërpritet i gjithë interneti.

Aksionet e “Anonimus” janë të orientuara kundër censurës së Internetit dhe gjithçka që paraqet kapital të madh.