Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 11:49

Shkup – VMRO-DPMNE nuk ka vullnet për të plotësuar disa nga kërkesat e BDI-së për formimin e koalicionit qeveritar. Këto sinjale janë dhënë nga media të afërta me partinë maqedonase në pushtet VMRO.

Partia e Greuvskit ka reaguar jozyrtarisht ndaj vlerësimeve se në rast se kjo parti nuk i plotëson kërkesat e BDI-së së Ali Ahmetit, atëherë kjo e fundit mund të negociojë me Lidhjen Socialdemokrate opozitare, e cila së bashku me BDI dhe PDSH-në do të formonin një Qeveri stabiliteti.

Televizioni Sitel, duke u thirrur në qëndrimet e VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski, mbrëmë ka drejtuar akuza ndaj medieve të tjera që ditëve të fundit BDI-në dhe Ali Ahmetin e kanë  vlerësuar si çelësin kryesor për formimin e Qeverisë në Maqedoni.

“Ka gazetarë maqedonas dhe politikanë që janë të shqetësuar për të drejtat e shqiptarëve më shumë se vetë shqiptarët. Atëherë mbetet e paqartë se kush do të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve, nëse ne nuk kujdesemi. A duhet që Gruevski të përkrahë këto kërkesa. Gjithsesi se nuk guxon, për shkak se me këtë ai në themel do ta rrezikonte dhe destabilizonte Qeverinë e Maqedonisë”, komenton televizioni proqeveritar.

Sipas burimeve të kësaj medie, kryeministri Gruevski, madje mund të negociojë edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit për formimin e Qeverisë së re dhe se me këtë parti që fitoi 8 deputetë do të siguronte një mazhorancë prej 63 deputetëve.

“Për PDSH-në kthimi në pushtet do të ishte një shpëtim dhe përtëritje e plotë e këtij subjekti në të gjitha nivelet. Në rast se Ali Ahmeti do të kishte të drejtën të bisedojë me Cërvenkovskin për formimin Qeverisë, i cili ka humbur zgjedhjet, atëherë pse Gruevski nuk do të kishte të drejt të negociojë me Thaçin”, nënvizon televizioni, që njihet si një nga zëdhënësit e VMRO-DPMNE.

Partnerët e deritanishëm të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI kanë filluar bisedimet e para për formimin e kabinetit të ri qeveritar në nivel të grupeve punuese. BDI mësohet se do të kërkojë kryetarin e Parlamentit si dhe ministër në njërin prej katër ministrive kryesore, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Ministrinë e Financave, Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme. Nuk përjashtohet edhe mundësia të kërkojnë që ministri aktual i Ekonomisë, Fatmir Besimi, të ulet në kolltukun e resurseve financiare, pasi që nuk iu dha kolltuku për guvernator të Bankës Popullore. Gjithashtu, do të kërkohet edhe buxhet i barabartë si dhe simbole dhe ligje të reja shtetërore për përdorimin e flamurit shqiptar.

Përveç kësaj partia e Ahmetit mëton të kërkojë edhe mbylljen e çështjeve të hapura si Rastet e Hagës, zgjidhja e statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së, ndryshime në Ligjin e gjuhëve, me qëllim që gjuha shqipe të bëhet gjuha e dytë zyrtare, mes tjerash edhe zhbllokimin e euro-integrimeve përmes zgjidhjes së emrit.