Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 12:16

Athinë - Greqia është përfshirë nga protestat dhe grevat. Ndërkohë që ka hyrë në ditën e 20-të protesta e qytetarëve para Parlamentit Grek në Athinë, nesër e gjithë Greqia do të ndalojë së funksionuari. Cdo veprimtari private e shtetërore do të ndërpritet dhe qytetarët do të protestojnë në rrugë, organizuar nga sindikatat e sektorit shtetëror dhe atij privat.

Në këtë grevë do të përfshihen të gjithë punonjësit, ata të sektorit të transportit, trenave, hekurudhave, anijeve, kontrollit ajror, punonjësit e bankave, të medias etj. Në grevë do të marrin pjesë edhe punonjës të shërbimeve të ndryshme publike. Edhe bizneset dhe dyqanet do të mbeten të mbyllura nga ora 12:00-15:00 gjatë ditës së nesërme.

Me qytetarët, të cilët prej 20 ditësh protestojnë jashtë parlamentit grek, do të bashkohen nesër edhe punonjësit e grevës dhe së bashku do ta rrethojnë godinën me një zinxhir njerëzor.

Këto protesta dhe greva e përgjithshme në mbarë Greqinë, zhvillohet në një kohë kur qeveria ka miratuar masa të ashpra dhe pret edhe miratimin e parlamentit për to, ndërkohë që shpreson se me anë të këtyre masave do të arrijë të marrë këstin tjetër të ndihmës.