|
|
e Enjëte, 18 Tetor 2012 15:45 Athinë – Një protestues ka humbur jetën gjatë përleshjeve të dhunshme me policinë para parlamentit grek.
Një 65- vjeçar ka vdekur nga një atak në zemër. Sipas mediave greke, viktima ishte një anëtarë i Sindikatës PAME, një sindikatë afër Partisë Komuniste Greke, e cila ka vendosur të mbajë edhe një minutë heshtje në kujtim të tij gjatë protestes.
Viktima ra në tokë pas lëshimit të gazit lotsjellës nga ana e policisë për të shpërndarë turmën. Ndërkaq, gjatë protestave 5 persona u plagosën, dy prej të cilëve policë. Pjesa më e dhunshme e protestës u zhvillua nga persona të maskuar, njohur si blloku i zi, pak metra larg Parlamentit. Policia u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës.
Kjo ishte hera e dytë brenda tri javëve që punëtorët grek dalin në rrugë. Mendohet se janë rreth 25.000 protestues në shesh.
Greva e përgjithshme 24- oreshe ka shkaktuar paralizë të transportit, mbyllje të zyrave publike, shumë dyqaneve, bankave dhe spitaleve. Vetëm personeli i Urgjencës ka qenë në krye të detyrës.(LajmeShqip.com)