|
|
e Martë, 07 Gusht 2012 17:45 Athinë – Qeveria greke vë sërish “gërshërën” mbi pensionet e grekëve të deklaruar si minoritaret në Shqipëri.
Ministri grek i Punës Janis Vroutsis bëri të ditur se do të priten 2800 pensione të Entit Bujqësor të Sigurimeve Shoqërore (OGA), nga i cili përfitojnë të punësuarit në bujqësi dhe mijëra minoritarë grekë nga Shqipëria.
Sipas ministrit Vroutsis, duke prerë 2800 pensione nga OGA, shteti grek do të fitojë rreth 14 milionë euro në vit. Ministri nuk dha detaje mbi kategoritë e pensioneve dhe sa persona nga Shqipëria do të prekë kjo masë, por në tetor të vitit të kaluar, qeveria greke iu hoqi përfitimet e më shumë se gjysmës së tyre, 3500 pensionistëve në Shqipëri, me argumentin se nuk depozituan brenda afatit ligjor dokumentacionin e kërkuar.
OGA prej vitesh jep pensione 360 euro ne muaj tek të gjithë ata persona që mbajnë statusin e “homogjenit”, domethënë që vërtetojnë ligjërisht se janë shtetas grekë ose me prejardhje greke.
Masat e ashpra që ka kërkuar Trojka në Greqi, ndër të cilat dhe prerja e pensioneve, po prekin edhe minoritarët në Shqipëri, duke i bërë “bashkëvuajtës” me qytetarët e Greqisë dhe duke i hequr tregut shqiptar mijëra euro që hynin në vit, vetëm nëpërmjet përfitimit të këtyre pensioneve.
Shteti grek gjithashtu kërkon të presë edhe pensionet false, nga të cilat mijëra persona kanë përfituar për vite me radhë në mënyrë të paligjshme. Sipas të dhënave, në Greqi, 20 000 njerëz marrin pensione false, duke shkaktuar një dëm prej 120 milionë euro në fondet e pensioneve, gjatë viteve të fundit. Ministri i Punës tha se vetëm në ishullin Zakinthons, janë konstatuar 61 persona që merrnin pension nën statusin e “të vërbërit” pa qenë të tillë.
“Dua të dërgoj një mesazh të fortë në të gjithë Greqinë. Deri në fund të vitit, të gjithë do të jEnë identifikuar”, tha Vroutsis. Ministri i bëri këto deklarata pas vizitës së tij në Gjykatën e Lartë, ku ka kërkuar ndihmën e drejtësisë për hetimin e rasteve të korrupsionit dhe përfitimeve të paligjshme të pensioneve false sa më shpejt të jetë e mundur. (LajmeShqip.com)