Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 13:01

Athinë- Ekziston rrezik që Greqia të largohet nga Zona e Shengenit nëse nuk ndërmerren masa konkrete lidhur me luftën kundër emigrantëve ilegal, publikoi televizioni grek “Skaj”, duke theksuar se afati përfundimtar për miratimin e këtyre masave është qershori.

Në suaza të masave të reja dhe hapjen e 30 qendrave për emigrantë ilegal, të cilat dje i paralajmëroi  ministri grek për Mbrojtjen e qytetarëve, Mihalis Hrisohodis. Ai theksoi se pret propozim-ligji për ndërtimin e qendrave të miratohet para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Për ndërtimin e qendrave, në të cilat do të strehoheshin rreth 30.000 emigrantë, janë siguruar mjete nga fondet evropiane në vlerë prej 250 milionë eurove për periudhën e viteve 2011-2013. Qendra e parë duhet të hapet muajin e ardhshëm në pjesën veriore të vendit.

Por, nëse  plani nuk miratohet, ekziston rreziku që Greqia të humbë 250 milionë eurot e siguruara.

Gazeta “Ta Nea” përmend se autoritetet lokale reagojnë ashpër  ndaj paralajmërimeve të Hrisohodis, i cili komunave u dha afat prej një jave të përcaktojnë lokacione për qendrat e reja, pas çka, sipas tij, nëse Qeveria  nuk merr përgjigje, do të sjellë vendim e nivelit qendror.

Sipas të dhënave statistikore, çdo vit në Greqi arrijnë rreth 130.000 emigrantë ilegal, të cilët më shpesh mbeten të izoluar në shoqërinë greke dhe Athina përpiqet t’i kthejë ata në vendet e tyre të lindjes.

Greqia është rajoni më i madh transit për emigrantët ilegal në BE. Autoritet greke konfirmojnë se në vend ilegalisht qëndrojnë më shumë se një milion të huaj.