|
|
e Hënë, 18 Qershor 2012 13:32 Athinë – Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras mori sot nga presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, mandatin për krijimin e qeverisë, që siç u shpreh do ta shfrytëzojë për një “qeveri të shpëtimit kombëtar”. Në prani të kamerave, presidenti Papulias iu drejtua Samaras duke thënë se “vendi nuk mund të qëndrojë as edhe një orë i paqeverisur” 
Kreu i Demokracisë së Re, mbrëmë menjëherë pas shpalljes si fitues i zgjedhjeve, deklaroi se është e nevojshme që vendi të ketë sa më parë qeveri. Ai ripërsëriti objektivat e tij në funksion “të qëndrimit të vendit në euro” dhe ftoi gjithë forcat politike, që pajtohen me këto objektiva, të marrin pjesë në krijimin e “qeverisë së shpëtimit kombëtar”.
Më pranë objektivave të Samaras janë PASOK dhe E Majta Demokratike (DIMAR), ndaj Demokracia e re mund të mbështetet tek këto parti, pasi të treja së bashku kanë 179 deputetë, një shumicë mëse e mjaftueshme për të formuar qeveri.
Mbrëmë Venizelos deklaroi se do të hynte vetëm në një qeveri, ku të merrte pjesë edhe SYRIZA e Alexis Cipras, por ky i fundit deklaroi se partia e tij do kontribuonte në opozitë. Analistët e interpretojnë lëvizjen e Venizelosit, si një taktikë për të marë poste ministrore me peshë në qeveri.
Kreu i së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis tha sot për një radio se “Ne duhet të diskutojmë emrin e kryeministrit. Çdo gjë duhet të vihet në tryezë madje edhe emrat e personave, të cilët do të zënë poste ministrore”, ndërsa drejtues të tjerë të së Majtës Demokratike shprehen të kënaqur që do të ndihmojnë për të formuar një qeveri.
Sot Antonis Samaras takon kreun e SYRIZA dhe kreun e PASOK, ndërsa ende nuk është përcaktuar takimi me kreun e së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis. Nëse Samaras nuk do arrijë të firmosë me asnjë nga dy partitë (PASOK dhe DIMAR), atëherë mandati që të formojë qeveri, i kalon Aleksis Cipras dhe nëse as ky nuk do të mundet, i fundit e merr Evangelos Venizelos i PASOK.
Përpjekjet për krijimin e qeverisë fillojnë disa orë pasi Demokracia e re u shpall zyrtarisht fituese e zgjedhjeve të 17 qershorit, me 29.7% duke fituar 129 vende në parlament. E dyta doli SYRIZA me 26.9%-71 vende në Parlament dhe i treti PASOK me 12.3%-33 vende. (LajmeShqip.com)