|
|
e Diel, 22 Korrik 2012 20:03 Greqi – Ish presidenti amerikan Bill Klinton ndodhet në Athinë, ku ndër të tjera zhvilloi edhe një takim me kryeministrin grek Antonis Samaras.
“Ne do të procedojmë drejtpërsëdrejti me ndryshimet radikale për reformat e kërkuara”, deklaroi Samaras dhe vuri në dukje se Greqia po jeton me një krizë të paparë, tashmë në vitin e pestë të recesionit.
Kryeministri e vlerësoi Bill Klinton, si mikun e Greqisë dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e tij në përpjekjet, që biznesmenët greko-amerikanë të krijojnë një fond për të promovuar aktivitetet e zhvillimit në Greqi.
Nga ana e tij ish presidenti Clinton theksoi se beson në të ardhmen e Greqisë, një vend i pasur dhe me burime të pasura. “Nëpër botë ka shumë probleme komplekse që njerëzit janë duke u përpjekur t’i zgjidhin duke bashkëpunuar. Unë besoj se së bashku ne mund të bëjmë diçka për të ndihmuar”, tha Klinton, dhe vlerësoi punën e qeverisë për reformat, duke theksuar se “reformat janë të nevojshme”.
Ish presidenti amerikan zhvilloi një takim me biznesmenët greko-amerikanë për nxitjen e investimeve amerikane në vend. Më herët, të shtunën, Klinton dha një leksion për krizën ekonomike globale, në Universitetin Evropian në Qipro, dhe zhvilloi një bisedë telefonike me ish kryeministrin Jorgos Papandreu. (LajmeShqip.com)