Lajme Shqip e Martë, 17 Korrik 2012 19:49

Strasburg – Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, dënoi Greqinë për keqtrajtimin dhe dëbimin e një emigranti shqiptar, i cili nuk kishte mundur të rinovonte në kohë lejen e qëndrimit.

Emigranti shqiptar Arben Lisa, kishte jetuar ligjërisht për disa vite në Skala Lakonia, me leje të rregullta qëndrimi, që i kishte rinovuar radhazi midis viteve 2003 dhe 2010.

Ndërkohë që në 20 prill 2010 kishte bërë sërish kërkesë për rinovim të lejes, gjë që nuk iu mundësua, Lisa u arrestua nga autoritetet greke me pretendimin se kishte një leje qëndrimi të skaduar dhe pastaj u deportua në Shqipëri.

Pas padisë së emigrantit shqiptar, Gjykata e të Drejtave të Njeriut dënoi Greqinë “për shkelje të dispozitave që ndalojnë trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues, për shkelje të së drejtës së lirisë dhe sigurisë dhe për shkelje të së drejtës për ankim”.

Për kushtet e arrestimit, ndalimit dhe deportimit të shtetasit shqiptar Arben Lisa, Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka urdhëruar Greqinë t’i paguajë paditësit një dëmshpërblim prej 12 000 euro për dëmet morale dhe 1 500 euro për shpenzimet. (LajmeShqip.com)