Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 17:16

Beogradi zyrtar ka thirrë sot shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën që të mos e ndryshojnë qëndirmin e tyre, meqë me marrëveshjen e re mes dy vendeve, Beogradi nuk konsideron se ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Këshilltari i presidentit serb, Marko Gjuriq e bëri këtë apel sot, gjatë një takimi që zhvilloi me ambasadorët e disa shtete që nuk e kanë njohur shkëputjen e Kosovës nga Serbia.

Ai u ka thënë diplomatëve të huaj se Serbia nuk do ta njeh kurrë pavarësinë e Kosovës, dhe se për këtë çështje, nuk do të ndryshoj pozitën e saj parimore, përkundër interpretimeve që Gjuriq i cilësoi si tendencioze që dëgjohen ditëve të fundit nga mediet serbe dhe të huaja.

“Vendosja në këtë kontekst [të njohjes së Kosovës nga Serbia] të marrëveshjës se arritur në Bruksel, nuk i kontribuon arrjtjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme gjithëpërfshirëse për çështjen e Kosovës, por as stabilitetit të përhershëm të mbarë rajonit”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit nga presidenca e Serbisë.

Gjuriq, siç thuhet, ka njoftuar ambasadorët me “të rejat e fundit” lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dhe në detaje u ka përshkruar rrjedhen e dialogut me Prishtinës, dhe sfidat që paraqiten me vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e asaj që pajtuan kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës. (REL/LajmeShqip.com)