Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 12:31

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, ka thënë të martën se shumë më tepër azilkërkues do të vijnë në Gjermani këtë vit sesa 400.000 që kishte parashikuar më herët ministria e tij.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Brendshme ishte duke e përgatitur një parashikim të ri, që së shpejti do të publikohet, duke thënë në vazhdim: “Duhet ta përgatis publikun gjerman për numrin (e azilkërkuesve), që do të jetë konsiderueshëm më lart sesa që kemi vlerësuar deri më tani”, shkruan sot Koha Ditore.

Zyra Federale gjermane për Migrim dhe Refugjatë (BAMF) ka parashikuar se numri i azilkërkuesve do të rritet në 450.000 këtë vit – më shumë se dyfishi i shifrës së 2014-s.

Gjermania ka një traditë të gjatë të pritjes së refugjatëve, posaçërisht si reagim rreth së kaluarës naziste, kur 500.000 çifutë dhe të tjerë, të persekutuar nga regjimi i Adolf Hitlerit, ikën nga ky shtet.