Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 10:53

Qeveria gjermane po konsideron përdorimin e automjeteve dhe mjeteve ajrore ushtarake të për të transportuar refugjatët dhe për t’i kthyer ata në vendet e tyre. Kështu deklaroi këtë të mërkurë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Për këtë opsion, një ditë më parë shkroi edhe gazeta gjermane “Bild”, e cila njoftoi se qeveria po kërkon përdorimin e avionëve Bundeswehr, si një mënyrë për deportimin e azilkërkuesve, aplikacionet e të cilëve janë refuzuar.

“Natyrisht, përdorimi i Transall (avion ushtarak) nuk është i përjashtuar”, ka konfirmuar von der Leyen. “Por, vetëm në rast se janë ezauruar të gjitha kapacitetet e transportit civil dhe në qoftë se kjo nuk ndikon në misionet e ushtrisë gjermane”.

Berlini po kërkon mënyra për të shpejtuar procesin e dëbimit të refugjatëve, në përpjekje për të lehtësuar ngarkesën e qeverive lokale, të cilat po përballen me krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania ka pritur më shumë se 800.000 refugjatë këtë vit.

Sipas “Bild”, numri i kërkesave për azil në Gjermani është aktualisht më i madh se numri i dëbimeve. Ndërsa shumë prej refugjatëve që vijnë në Gjermani i largohen luftës në Lindjen e Mesme, një e treta e tyre konsiderohen emigrantë ekonomikë dhe ka të ngjarë që të gjithë të dëbohen në vendet e tyre.