Lajme Shqip e Premte, 18 Maj 2012 08:15

Parada e komunitetit LBGT në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, u shndërrua në një shfaqje masive dhune.

Me dhjetëra persona u plagosën, ndërsa të tjerë u arrestuan, kur pjesëtarët e komunitetit të homoseksualëve, lesbikeve, transkesualëve dhe biseksualëve u sulmuan  nga përfaqësues të lëvizjeve të ndryshme fetare pro-familjes.

”Si ka mundësi që homoseksualizmi të promovohet në rrugët tona, përpara syve të kaq shumë fëmijëve”, deklaroi një prift i revoltuar për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Një organizator i paradës deklaroi se e kishte pritur një reagim negativ të opinionit publik, por nuk mendonte se parada do të sulmohej fizikisht.

Siç raportojnë mediat gjeorgjiane, një grup priftërinjsh ortodoksë i kërkuan policisë që të ndalonte “marshimin e degradimit”, por atyre iu tha se kjo nuk mund të ndodhte, pasi marshimi ishte i ligjshëm dhe në përputhje me parimet kushtetuese për lirinë e zgjedhjes seksuale.

Pas refuzimit të kërkesës, dhjetëra të rinj nisën të qëllonin me gurë ndaj marshuesve dhe të përballeshin fizikisht, duke detyruar policinë që të përdorte gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Homoseksualizmi u dekriminalizua në Gjeorgji në vitin 2000, por grupimet e të drejtave të homoseksualëve protestojnë ndaj faktit se nuk ka masa të mjaftueshme ligjore për të penguar konkretisht diskriminimin.