|
|
e Hënë, 16 Korrik 2012 09:30 Shkup – Ish-kryeministri i Maqedonisë, Lupço Georgievski po bëhet gjithnjë e më atraktiv për mediet rajonale me librin e tij autobiografik “Ky jam unë”.
Gjatë pjesëmarrjes së tij në lajmet e mbrëmjes të televizionit kroat HRT, pas intervistave të shumta për mediet bullgare, Georgievski ka folur kësaj radhe për shkëmbimin e territoreve mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, të cilin e kishin planifikuar bashkë me kryeministrin serb të asaj kohe, Zoran Gjingjiq, por ky plan nuk është realizuar për shkak të vrasjes së ish-kryeministrit serb në vitin 2003.
Sipas Georgievskit, gjatë këtij shkëmbimi do të duhej që Maqedonia të hiqte dorë nga Gostivari, Dibra dhe Tetova, ndërsa të merrte disa pjesë rreth Liqenit të Prespës.
Georgievski ka ripërsëritur gjithashtu tezat e tij të shkruara se “Qeveria e Shkupit po e falsifikon historinë” dhe se “maqedonasit janë falsifikuesit më të mëdhenj të historisë në pesë vjetët e fundit”
“Maqedonasit do të mallkojnë qumështin e nënës së tyre për atë që kanë hequr dorë nga ‘Shën Klimenti dhe Shën Naumi’ dhe po shfaqen si falsifikatorët e historisë ballkanike. Kombi maqedonas është ndër më të rinjtë, i krijuar nga fundi i shekullit 19”, ka thënë Georgievski, transmeton “Zhurnal”. (LajmeShqip.com)