Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 18:51

Strazburg-Serbia duhet të plotësojë kriterin kyç për përmirësimin e raporteve me Kosovën dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd. Kështu ka deklaruar komisioneri europian i zgjerimit Shtefan Fyle gjatë debatit të sotëm në Parlamentin Europian mbi progresin europian të Serbisë.

Fyle e bëri të qartë se ky është një kriter kyç që Serbia të nisë negociatat për anëtarësim me BE-në. Gjatë fjalës së tij Fyle përgëzoi lidershipin serb për marrjen e statusit kandidat por kërkoi vazhdimin e axhendës së reformave europiane, por duke i vënë theksin progresit në dialogun Prishtinë-Beograd.

“Së pari, është e rëndësishme që Serbia të plotësojë kriterin kyç të përmirësimit të dukshëm dhe qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën. Kjo do të thotë që Serbia duhet të implementojë dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më sot në dialogun Prishtinë-Beograd.

Gjatë debatit, një nga eurodeputetët e pranishëm bëri thirrje që Serbia të heqë dorë nga iluzioni se Kosova është pjesë e saj. “Serbia duhet të përballet me pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga iluzioni se Kosova do të jetë një ditë sërish pjesë e Serbisë sepse kjo nuk do të ndodhë kurrë”-tha ai. (LajmeShqip.com)