Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 12:48

Shkup – Organizata joqeveritare “Freedom House”, në raportin më të ri “Kombet në tranzicion  2011″, e ka vlerësuar zhvillimin demokratik të Maqedonisë me vlerësimin 3,82.

Nga vendet e rajonit më mirë të ranguara sesa Maqedonia, sipas nivelit të zhvillimit demokratik, janë Sllovenia (1,93), Bullgaria (3,07), Kroacia dhe Serbia (3.64), në nivel të njëjtë është Mali i Zi (3,82), ndërsa më keq janë pozicionuar Shqipëria (4.04), Bosnja dhe Hercegovina (4,32) dhe Kosova (5,18).

“Freedom House” e ka bërë vlerësimin në bazë të analizave në shtatë sfera, ku njëshi është më i miri, ndërsa shtata është nota më e keqe.

Notat e ndara në çdonjërën prej tyre, për Maqedoninë janë midis 3,25 dhe 4,50. Për sferën Procesi Zgjedhor, Maqedonia ka 3,25, njëjtë si dhe për sferën Shoqëria Civile. Pavarësia e mediave është vlerësuar me 4,50, Qeverisja kombëtare demokratike me 4, Qeverisja lokale demokratike me 3,75, ndërsa Gjyqësia dhe Korrupsioni me 4.

Vlerësimet për Maqedoninë në të gjitha sferat janë të njëjta sikur edhe në raportin paraprak, përveç tek Pavarësia e medieve, ku është bërë një hap prapa, ndërsa vlerësimi është korrigjuar prej 4,25 në 4,50.

Vitin e kaluar vlerësimi i përgjithshëm i “Freedom House”, për zhvillimin demokratik në Maqedoni, ka qenë 3,79. (Lajmeshqip.com)