Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 19:28

Shkup – Austria konsideron se zgjidhja e çështjes për emrin nuk duhet të jetë parakusht për përcaktim të datës dhe për fillim të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, theksoi presidenti austriak Hajnc Fisher pas takimit të së hënës në Vjenë me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov.

“Greqia sinjalizon se kusht është zgjidhja e emrit. Por, konsiderojmë se për përcaktim të datës dhe fillimit të negociatave nuk duhet të pritet zgjidhja. Problemi mund të zgjidhet edhe në fund të negociatave. Ato duhet të fillojnë dhe paralelisht të rrjedhin të dy proceset. Kështu do të jepet nxitje”, deklaroi Fisher në konferencën e përbashkët për shtyp me Ivanovin. Sipas tij, kriza aktuale ekonomike në Greqi nuk duhet të ndikojë në zgjidhjen e emrit, për shkak se të dy çështjet nuk janë të lidhura. Ivanov, siç thekson Fisher, e ka informuar edhe për disa aspekte historike të kontestit për emrin, me ç’rast, siç shtoi disa gjëra i ka më të qarta.

“Problemi është i vështirë, por nuk është pa zgjidhje”, ka shtuar presidenti austriak.

Shefi i shtetit të Maqedonisë u dakordua se emri nuk duhet të jetë parakusht për inkuadrimin në BE dhe se integrimi i Maqedonisë dhe zgjidhja e çështjes për emrin mund të zhvillohen paralelisht. Si shembull pozitiv e theksoi zgjidhjen e problemit midis Kroacisë dhe Sllovenisë, që ia hapi rrugën Zagrebit drejt Brukselit.

“Greqia është në krizë dhe për momentin nuk ka motiv që ta zgjidhë problemin. Greqia nuk humb asgjë nëse caktohet datë dhe negociatat të fillojnë. Deri në përfundimin e tyre problemi mund të zgjidhet. Maqedonia i përmbushi kriteret e Kopenhagës dhe pret të vazhdojëmëtej, ndërsa përcaktimi i datës do të jetë motiv plotësues që të vihet deri në zgjidhje”, ka thënë Ivanov. Maqedonia, thotë, i përmbushi obligimet dhe tani mbezez që Këshilli i BE-së në takimin e ardhshëm ta vendos në rend dite dhe të miratojë vendim për fillim të negociatave. Dy presidentët kanë biseduar edhe për marrëdhëniet bilaterale, për bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor. Fisher shfaqi shpresë se di të përforcohen relacionet ekonomike dhe e përshëndeti zgjidhjen e problemit me EVN Maqedoni. Presidenti i Republikës së Maqedonisë pasdite do të takohet edhe me kancelarin austriak Verner Fejman, ndërsa qëndrimin dyditor në Vjenë do ta rrumbullakësojë me takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Austrisë.