|
|
e Premte, 03 Gusht 2012 18:44 Shkup – RDK ka shprehur keqardhjen për denigrimin e flamurit kombëtar shqiptar nga ai shtetëror, në këtë festë shtetërore. Është kundërpërgjigjur BDI-ja duke i quajtur akuzat e RDK-së demagogji.
Festa kombëtare maqedonas 2 Gushti ka shkaktuar zënka mes subjekteve shqiptare, për shkak të dimensioneve më të vogla të flamurit shqiptar në krahasim me atë maqedonas.
RDK ka shprehur keqardhjen për denigrimin e flamurit kombëtar shqiptar nga ai shtetëror, në këtë festë shtetërore. Sipas tyre, kjo vërehet në çdo komunë shqiptare. RDK i kërkoi zyrtarëve të lartë të BDI që t’u kërkojnë falje shqiptarëve për dezinformatat e dhëna duke theksuar se flamuri kombëtar nuk do të jetë më i vogël se ai shtetëror.
“Kërkojmë nga Musa Xhaferri dhe Abdilaqim Ademi, dy zyrtarë të lartë të BDI-së përgjegjës për të drejtat kolektive të shqiptarëve në qeverinë e Maqedonisë që publikisht t’u kërkojnë falje shqiptarëve për dezinformatat që ua liferonin se flamuri shqiptarë nuk do të jetë më i vogël se flamuri maqedonas gjatë përdorimit publik. Këto zyrtarë dhe të tjerët si Artan Grubi që thoshin se dimensionet e flamurit shqiptar janë të përcaktuara me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i ftojmë të shëtisin nëpër rrugët e Çairit dhe të ballafaqohen me dështimin e tyre politik, etik dhe kombëtar”, thuhet në reagimin me shkrim të RDK-së.
Sipas partisë së Osmanit, “BDI më tepër shqetësohet nga argumentet politike të RDK-së por jo edhe për zvogëlimin e përmasave të flamurit kombëtar”. Ata shprehin keqardhje për dështimin e idesë së tyre për unifikimin pas zgjedhor të subjektit shqiptar me qëllim ndryshimin e pozitës inferiore të shqiptarëve në parlament dhe në institucionet e vendit.
Është kundërpërgjigjur BDI-ja duke i quajtur akuzat e RDK-së demagogji. BDI thotë se RDK, në një rast shprehet se flamuri kombëtar valon lirshëm në vendbanimet shqiptare, ndërsa nga ana tjetër anashkalon vendosjen e tyre më 28 nëntor. “Përveç mirënjohjes, BDI do ta çmonte nëse Kryetari i Komunës së Gostivarit do të gjente guximin ta valëviste flamurin kombëtar më 28 nëntor 2011, në 99 vjetorin e Ditës së Flamurit, e jo ta linte Gostivarin pa flamuj shqiptarë”, – thuhet në reagimin e BDI-së. Sipas tyre, shqiptarët nuk do e falin RDK-në për përçarjen e votës shqiptare dhe humbjen e 5 deputetëve shqiptar. (LajmeShqip.com)