Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 20:34

Shkup – Liderët e VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, të premten do të duhet ta rrumbullakojnë procesin e negociatave, duke saktësuar tërë atë që e kanë negociuar ekipet e  të dy partive.

Nuk ka vërtetim zyrtar për këtë takim, por burime partiake bëjnë të ditur se ai me siguri do të mbahet të premten, duke mos saktësuar ku dhe në sa ora do të takohen të dy liderët. Çështja kyçe të cilën ata do të duhet ta shqyrtojnë është se a do të zënë vendin e kryetarit të Parlamentit, deputet nga radhët e BDI-së, para zhvillimit të së seancës konstituive të shtunën në Parlament, ku në rend të ditës është vendosur zgjedhja e njeriut të parë të shtëpisë ligjvënëse.

Ermira Mehmeti mund të jetë kryetare e Parlamentit të Maqedonisë. Kështu mund të ndodhë, nëse BDI heqë dorë nga postet kryesore ministrore, në shkëmbim të kreut të legjislativit, bëjnë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com, brenda  BDI-së.

Para dy javëve kur dhe kanë filluar negociatat, burime nga BDI-ja kanë thënë se kjo çështje është pothuajse e mbaruar, ndërkaq edhe përflitej për emrat e deputetëve Ermira Mehmeti-Devaja, Xhevat Ademi ose Teuta Arifi, që të jenë kryetarë të Parlamentit. Mirëpo, ditëve të fundit, nga VMRO DPMNE-ja kanë thënë se një marrëveshje e tillë nuk ekziston.

Është pikërisht kjo çështja të cilën të dy liderët duhet ta pastrojnë, para se të fillojnë t’i caktojnë pozitat e ministrave në Qeverinë e re. Nëse Ahmeti e fiton vendin kyç të Parlamentit, atëherë me gjasë do të tërhiqet nga kërkesat për të udhëhequr disa nga ministritë më të rëndësishme.

Të dy partitë sërish kanë heshtur me sqarimin se e presin kryeministrin që të kthehet nga vizita e tij në Bruksel. Siç kanë sqaruar, nëse të shtunën zgjidhet kryetari i Parlamentit, kjo do të thotë se negociatat midis tyre janë në fazën përfundimtare dhe se mund të pritet që një afat sa më të shkurtër të kemi Qeverinë e re të kompletuar.

Mirëpo, nëse nuk arrihet marrëveshje për atë funksion, atëherë negociatat do të komplikohen ende më shumë, sepse BDI do të insistojë për postin e ministrit të Financave, me kandidat të vetëm për këtë post, Fatmir Besimin, ministrin aktual të Ekonomisë.

Nga ministritë më me rëndësi, BDI-ja insiston të marr edhe atë të Euro-integrimeve si dhe, minimumin, një pozitë kryesore në sektorin e sigurisë.

Përpos pazareve kadrovike, nga BDI insistojnë dhe për miratimin e një ligji i cili do të avancojë përdorimin e gjuhës shqipe dhe ligjin për përdorimin e simboleve të bashkësive etnike. Mbyllja e rasteve të Hagës përmes interpretimit autentik të ligjit për amnisti, gjithashtu është kërkesë e partisë së Ali Ahmetit. (LajmeShqip.com)