Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 17:27

Shkup – Kryeministri Nikolla Gruevski nuk është i sigurt për formimin e koalicionit të ri qeverisës me Ali Ahmetin, prandaj menjëherë pas zgjedhjeve dëshiron në shpejtësi t’u hakmerret kritikuesve më të mëdhenj të cilët ia morën pozicionin e rehatshëm, pohojnë disa nga analistët politik. Në këtë mënyrë, sipas tyre, mund të shpjegohet arrestimi i menjëhershëm i liderit të partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski dhe gjykimi i përshpejtuar i pronarit të televizionit A1, Velija Ramkovski. Boshkovski u arrestua vetëm një ditë pas zgjedhjeve të 5 qershorit, ndërsa sa i përket procesit të gjykimit kundër Ramkovskit dhe udhëheqësve të firmave në godinën e televizionit A1, mund të vërehet tendenca që gjykimi të mbarojë në afat sa më të shkurtër. Madje, për të arritur këtë qëllim, nuk mbahet llogari as për problemet shëndetësore të të akuzuarve. Sipas analistëve, vendosja e parakohshme e përmendores së Lekës së madh, e cila më parë ishte e paralajmëruar të vendoset në fund të verës, gjithashtu është si rezultat i mundësisë që Gruevski të mos jetë kryeministër i qeverisë së re, dhe në atë rast, më vështirë do të vendosej për vendosjen e përmendores në sheshin “Makedonija”. Brengosja e VMRO-DPMNE-së mund të vërehet edhe nga sulmi i një pjese të mediumeve pro-qeveritare, të cilat i publikuan brifingjet e BDI-së rreth apetitit të Ahmetit për ndarjen e kulaçit të funksioneve për koalicionin e ardhshëm eventual. Ndërkaq, një pjesë e analistëve thonë se bëhet fjalë për marrëveshje të heshtur me BDI-në, që Gruevski t’i mbarojë punët në periudhën kur qeveria është vetëm teknike, që të mund Ali Ahmeti të arsyetohet se nuk ka mundur të kundërshtojë pasi që akoma nuk ka mundur ta shfrytëzoj pozitën që e fitoi më 5 qershor.

“Rezultatet e zgjedhjeve shkaktuan nervozë tek Gruevski dhe në VMRO-DPMNE në përgjithësi. Çelësi i qeverisë së re nuk është më tek ata, por në Reçicë të vogël dhe ai dëshiron t’i dënojë ata që me kritikat e tyre më së shumti kontribuuan në atë. Punët tani kanë ndryshuar shumë, pasi që çmimi për përpilimin e qeverisë si duket është shumë i lartë. Prandaj, duhet ta paguajnë ata që e sollën vendin në këtë gjendje, ndërsa ajo që do të ndodh, do të jetë dhe si porosi deri tek ata të cilët në të ardhmen do t’u shkojë mendja për një gjë të tillë”, ka thënë analisti Alajdin Demiri. Sipas tij, është i dukshëm qëllimi i Gruevskit të pastroj me çdo kënd që mendon ndryshe nga ai dhe prandaj për shkurt kohë mund të pritet edhe tentim për ekzekutimin përfundimtar të televizioni “A1” dhe gazetave ditore “Koha e Re”, “Vreme” dhe “Shpic”, për shkak të marrëdhënies së tyre kritike ndaj pushtetit. Por, siç sqaron Demiri, porosia që dërgon Gruevski me përdorim të forcës, mund të jetë edhe tentim për përfitimin e deputetëve nga blloku opozitar, me qëllim që kështu ta kthejë kontrollin absolut në Parlament. Profesori universitar Stevo Pendarovski, ka thënë se qëllimi i Gruevskit është që sa më shpejtë të pastrojë me kundërshtarët politik, ndërsa bërja e kësaj me ritëm të përshpejtuar është rezultat i dëshirës ta kompenson atë që i ka mbetur gjatë periudhës parazgjedhore. Por sipas tij, është e dukshme që edhe BDI-ja në mënyrë të heshtur i ka përkrahur këto ndodhi, me siguri duke menduar që është më mirë e gjithë kjo të ndodh para formimit eventual të qeverisë së re, me çka në një mënyre do të mund t’i ikë përgjegjësisë. Mu për atë, vendoset para kohe përmendorja e Lekës së madh. “Vendimi i përmendores së Lekës të Madh në këtë periudhë i konvenon BDI-së pasi që mund të thuan se puna është kryer para se të mund të reagojnë dhe ta shfrytëzojnë pozicionin e ri, e cila me siguri do të jetë më e fuqishme në koalicionin e ri eventual. Simptomatike është që BDI-ja aspak nuk ka reaguar në vendimin e përmendores edhe pse ky hap në mënyrë direkte e dëmton integrimin euro atlantik, për të cilën pohojnë se është qëllimi i tyre strategjik”, ka thënë Pendarovski.