|
|
e Diel, 15 Korrik 2012 16:44 Kajro – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton u takua në Kajro me kreun e Këshillit Suprem Ushtarak, Hysein Tantavi.
Mediat egjiptiane deklarojnë se në takim është biseduar për tranzicionin e pushtetit drejt një Egjipti demokratik si dhe për sigurinë kombëtare të vendit dhe rolin e ushtrisë për të mbajtur larg territorit terroristët që përbëjnë kërcënim për interesat amerikane në rajon.
Takimi mes Klinton dhe Tantavi-t është shoqëruar vazhdimisht me protesta nga mijëra të rinj që e cilësojnë atë një provokim. Protestuesit thanë se po vihet në rrezik revolucioni dhe se takimi i Clinton me udhëheqësin ushtarak ka si synim të politizojë këshillin e ushtarakëve, që sipas tyre s’duhet të ketë kurrëfarë ndikimi mbi pushtetin civil, përkundrazi.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, dje është takuar me presidentin e Egjiptit, Muhamed Morsi, i cili muajin e kaluar u zgjodh në këtë post si presidenti i parë civil islamik.
Klinton tha se ajo e përgëzoi presidentin Morsi për premtimin e tij për të përfaqësuar interesat e të gjithë egjiptianëve dhe për t’i mbrojtur të drejtat e grave dhe minoriteteve.
Zyrtarja e lartë amerikane tha se Uashingtoni do t’i japë kredi Egjiptit 250 milionë dollarë për tregti dhe do ta krijoj një fond investues për këtë vend.
Klinton do të takohet edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me sektorin e biznesit. Pritet që sonte Klinton të udhëtojë për vizitë në Izrael. (LajmeShqip.com)