|
|
e Diel, 08 Korrik 2012 17:50 Beograd – Shkuarja në Dubrovnik e liderit të Partisë Demokratike të Serbisë, Boris Tadiq, si dhe shtrëngimi i duarve me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, ka shtruar rrugën për takimin e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, thotë analisti politik kroat, Davor Denero.
Ai tha se lëvizja e Tadiqit është veprim shtetëror, i bërë në momentin e parë që mund të bëhet. Me këtë, sipas tij, do të ndryshojë pozicioni nga i cili i marrin vendimet të gjithë zyrtarët e politikës aktuale në Serbi.
“Kolegëve që ua ka dorëzuar pushtetin ekzekutiv dhe përfaqësues, Tadiqi u ka hapur më shumë hapësirë për veprim dhe për takimin Nikoliq-Jahjaga. Kur ai shtrëngoi duart me kryeministrin e Kosovës, takimi i dy presidentëve nuk do të jetë problematik siç ishte deri sot”, tha Denero për “Tanjug”, transmeton Telegrafi.
Ai e krahasoi ndërmarrjen e djeshme të Tadiqit si veprimin e Willy Brandtit kur ka shfuqizuar “Doktrinën Hallstein”, me të cilën Gjermania Perëndimore ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me çdo vend që ka njohur Gjermaninë Lindore. (K.N)