|
|
e Hënë, 15 Tetor 2012 16:59 TIRANË – Shoqata e personave të verbër në Tiranë zhvilloi një parakalim me shkopat e bardhë, simbol të ditës së sotme, prej Hotel ‘Dajtit’ deri tek Pallati i Kulturës.
Për këtë shtresë të shoqërisë, që sipas shoqatës së tyre përbëhet nga më tepër se 10 mijë vetë, shqetësim mbetet mungesa e infrastrukturës rrugore, por edhe sinjalistika e posaçme për të verbërit.
Në këtë parakalim, kryetari i shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj, i drejtoi një kërkesë kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha, që të rishikojnë kërkesat e kësaj kategorie për infrastrukturën, si dhe t’i përfshijë ato në planin urbanistik të Tiranës.
“Ka disa sinjale për disa përshtatje trotuarësh, po ato janë vetëm një fillim. Akoma Tirana dhe gjithë qytetet kryesore të paktën në Shqipëri nuk kanë semaforët akustikë, nuk janë përshtatur me sinjalet në rrugë, në mënyrë që të verbrit të mund të orientohen dhe të lëvizin”, tha Sinan Tafaj, kryetar i shoqatës së të verbërve.
15 tetori prej 48 vitesh është shpallur Dita Ndërkombëtare e Shkopit të bardhë. Shkopi i bardhë është krijuar në vitin 1912 nga artisti James Biggs nga Bristoli, pas një aksidenti ku humbi shikimin, artisti vendosi të ripërshtatej me ambientin, duke lyer shkopin e tij lëvizës me ngjyrë të bardhë dhe ta bënte veten më të dukshëm në rrugë.
Më tej, Presidenti i SHBA, Lyndon S. Johnson, u interesua dhe e shpalli 15 Tetorin si Ditë e Shkopit të Bardhë. Në 6 Tetor të vitit1964, një rezolutë e përbashkët e Kongresit e deklaroi ligjërisht këtë ditë. Nisur nga kjo ngjarje, në të gjithë botën 15 Tetori kremtohet si dita simbol për pavarësi, integrim dhe autonomi të personave të verbër. (LajmeShqip.com)