Lajme Shqip Thursday, 22 August 2013 14:14

Athinë – Edhe në Parlamentin grek është shtruar çështja e ngjarjeve në Përmet, pasi deputeti i partisë “Demokracia e Re”, Nikitas Kaklamanis i ka drejtuar disa pyetje ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos mbi veprimet që ka ndërmend të bëjë Athina zyrtare, lidhur me atë që e quajti “vandalizmin mbi Kishën e Përmetit”.

Në fjalën e tij deputeti i djathtë është shprehur ndër të tjera se “ngjarjet që ndodhën në qytetin e Përmetit në Shqipëri kanë cënuar konceptin e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, ato kanë krijuar një ndjenjë shqetësimi për të gjithë grekët”.

Ai ka përmendur veçanërisht, “përdhosjen e relikeve të shenjta, Ungjillit, Grailit të Shenjtë, ikonat e hedhura mbi një kamion, veprime që kanë zemëruar klerin ortodoks grek dhe njerëzit”.

Duke vijuar deputeti i djathtë grek pyet: “Cfarë do të ndodhte nëse dikush do të kishte hedhur Kuranin në një kamion? Ndoshta do të digjej gjysma e planetit”, ka shtuar ai.

Më pas Kaklamanis i drejton ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos këto pyetje:

*Përveç përgjigjes diplomatike rutinë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, cilat janë hapat shtesë që keni ndërmend të merrni?

*A do të ndërhyjë Greqia në institucionet e BE-së, si për sa i përket financimit të një vendi aderues, ashtu edhe për procesin e pranimit, pasi qeveria shqiptare jo vetëm nuk e pengoi aktin, por e fshehu vandalizmin dhe dhunën.

Ky zhvillim ndodh paralelisht me pyetjen që eurodeputeti grek, Jorgos Kumutsakos ngriti në Komisionin Evropian, për çështjen në fjalë dhe me të njëjtën përmbajtje. /BW/