Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 21:50

Damask – Forcat siriane të sigurisë sot vranë së paku 34 njerëz në qytetin Hama, në pjesën qendrore të vendit, gjatë njërit prej tubimeve më të mëdha antiqeveritare, që prej fillimit të trazirave shpërthyen nga mesi i marsit.

Drejtori i Organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me seli në Londër, Rami Abdel Rahman deklaroi se në Hama janë tubuar mbi dhjetëra mijë njerëz, ndërsa forcat e sigurisë kanë hapur zjarr ndaj tyre.

Dëshmitarë okularë pohojnë se forcat e presidentit Bashar al-Asad po i intensifikojnë sulmet në qytetet, të cilat i llogarisin qendra të demonstratave.

Autoritetet siriane në pjesën më të madhe të vendit i ndërprenë lidhjet e Internetit me qëllim që t’i parandalojnë aktivistët opozitarë të organizohen përmes JuTjub-it apo Fejsbuk-ut. Por, aktivistët dërguan porosi përmes lidhjeve satelitore.