Lajme Shqip Saturday, 13 April 2013 08:52

Beograd – Serbia nuk do ta kërkojë që Rusia të vendosë diçka në vend të saj, spekulimet për mungesë uniteti në kreun shtetëror serb janë dëshmi e mentalitetit të keq, ndërsa dialogu me Prishtinën nuk lidhet me datën e fillimit të negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, thotë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç. Sipas tij, vazhdimi i bisedimeve me Prishtinën është i domosdoshëm.

“Jua kujtoj se Serbia është e gatshme, nëse nuk do të ketë më ndërmjetës, për të vazhduar bisedimet e drejtpërdrejta me Prishtinën, kryesisht për shkak se problemi i Kosovës është problem i Beogradit, edhe Prishtinës, e ne duhet të gjejmë mënyrën që këtë ta zgjidhim. Pra, të gjitha konsultimet lidhen me vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjes”, ka thënë Daçiç për Danas.

I pyetur nëse do të ketë marrëveshje para 22 prillit, kur takohet Këshilli i Ministrave të BE-së, Daçiç thekson: “Zgjidhje tjetër nuk kemi”. “Që nga dita e parë, takimi im i parë me Hashim Thaçin, qartë treguam se cili është përcaktimi i Serbisë. Edhe sot ne kemi një besim të mirë se ky përcaktim është i drejtë dhe i vetmi i mundshëm”.

“E dini, i kemi filluar negociatat të vetëdijshëm se çështja e Kosovës nuk mundet e as nuk guxon të jetë një çështje e gjakut dhe tokës, por një çështje e jetës së njerëzve që jetojnë atje”.

“Kemi qenë të vetëdijshëm për faktin se 32 vjet më parë, në prill, Kryesia e ish-RSFJ-së shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, për shkak të demonstratave studentore, dhe se Serbia e Kosova gjatë këtyre viteve, e deri më sot, jetuan në forma të ndryshme të gjendjeve të jashtëzakonshme. Kemi kërkuar që kjo të ndalet. Kemi kërkuar që ne dhe njerëzit në Kosovën të merremi me jetën, zhvillimin e tyre, kualitetin, sigurinë. Këto negociata deri tani dëshmuan se kjo është e mundur. Në fund, edhe çështjet që mbetën pa përgjigje ndërlidhen me këtë jetë. Kanë të bëjnë me atë se kush i ruan serbët në Kosovë, kush i gjykon, kush i mëson e kush i shëron”, transmeton Indeksonline.

“Së fundi, edhe Thaçi e vërejti mirë se mos arritja e marrëveshjes është dështim i Serbisë dhe i Kosovës, ndërsa do të shtoja se edhe vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme, për të gjithë në Serbi dhe në Kosovë. Kësaj duhet t’i japim fund. Duhet të kthehemi në gjërat e rregullta e normale. Duhet, me një fjalë, t’ua mundësojmë jetën edhe serbëve e edhe shqiptarëve”, ka thënë Daçiç.(LajmeShqip.com)