Lajme Shqip Sunday, 28 April 2013 12:23

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se për hir të së ardhmes së vendit të tij, askush më nuk ka të drejtë të fshihet, aq më pak pas Kosovës, sepse përpjekjet e reja për t’u fshehur do të përfundonin me eksode të reja, viktima dhe humbje të reja. Në shkrimin autorial për beogradasen “Politika”, Daçiq ka lënë të kuptohet se Serbia është bërë si “Gernika e Ballkanit”, pasi në njëzet vjetët e fundit “ka përjetuar të gjitha llojet e kataklizmës”.

“Shpërbërja e disa shteteve, përjashtimi nga komuniteti ndërkombëtar, sanksionet, varfëria, bombat, uria, plaçkitja e vetes dhe e pronave tona. Këtë, natyrisht, nuk e kemi bërë vetëm ne. Bota shpesh ka qenë e ashpër ndaj Serbisë. Por, pjesa që kemi bërë vetë gjithmonë është përcjellë me justifikime dhe arsyetime të përsosura”, ka shkruar Daçiq.

Sipas tij, çdo e keqe që Serbia i ka shkaktuar vetvetes është justifikuar me “qëllime të larta, qiellin, shenjtërinë, kombin.” “Kur për herë të parë, para më shumë se tre vjetësh, kam thënë se duhet të ndalojmë të gënjejmë dhe për temat e rëndësishme, siç është Kosova, duhet të flasim të vërtetën, kam nisur zinxhirin e ngjarjeve, i cili ka shkuar drejt një qëllimi – heqjes së justifikimeve”, ka thënë Daçiq.

Gjithnjë sipas tij, Marrëveshja e Brukselit është pikërisht kjo – heqja e barrës 20-vjeçare nga supet e popullit, “rrezikut se do të fajësohet dhe akuzohet nëse nuk zgjidh një detyrë të pamundur”.

Zhdukja biologjike e Serbisë, shkatërrimi i infrastrukturës së saj, shkatërrimi i ekonomisë, kulturës, shkencës, shëndetësisë, arsimit – të gjitha këto, ka shkruar Daçiq, janë arsyetuar me detyra të mëdha kombëtare, me “kërkimin katrorit të rrethit të Ballkanit” – “kjo është dashur të ndalet”.

“Qëllimi i parë, si qeveri dhe koalicion, ka qenë të ndalojmë të gënjejmë, edhe njëri-tjetrin, edhe të tjerët, njerëzit në Serbi, miqtë dhe armiqtë në botë. Të fillojmë, ngadalë, ta zbresim Serbinë në tokë”.

“Është dashur ta bëjmë një gjë të tillë, sepse në Serbi, për shkak të së ardhmes së saj, askush nuk ka të drejtë të fshihet. Dhe, për Zotin, nuk ka pasur ku të fshihet. Aq më pak pas Kosovës. Sepse, çdo tentativë e re për fshehje do të përfundonte me një eksod tjetër, më të dukshëm, me viktima dhe humbje të reja, me padrejtësi të reja”, ka shkruar kryeministri serb.

Kosova, sipas tij, do të vazhdonte, pa ndonjë gjykim apo përgjegjësi, kah Evropa, “ndërsa ne do të shtyheshim përsëri në një vrimë të thellë të Ballkanit, në dëshpërim, fatkeqësi, uri dhe mjerim”.

Kjo, sipas Daçiqit, nuk do të ishte e drejtë për fëmijët; nuk do të ishte e drejtë që atyre të mos iu lihet asgjë përveç ndjekjes së pakuptimtë të zgjidhjeve të pamundura.

“Dhe, i gjithë thelbi i marrëveshjes së Brukseit është kjo. Të shënojmë fillimin e fundit dhe fundin e fillimit. Të gjejmë mënyra, të bëjmë atë për të cilën jemi zgjedhur. Jemi zgjedhur për atë që Serbia të jetë vend ku ka punë, rrugë, shkolla, spitale, libra, teatro, barna dhe njerëz të kënaqur. Jemi zgjedhur nga zgjedhjet në tokë dhe jo në qiell. Ka përfunduar historia për Serbinë qiellore”, ka shkruar Daçiq për gazetën beogradase “Politika”.