Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 11:56

Beograd – Pas takimit me serbët e Kosovës, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi qartë se nuk do të ketë referendum për Marrëveshjen e arritur në Bruksel, më 19 prill. 

“Ne nuk kemi kohë të merremi me muaj me këtë çështje, sepse kjo e fut Serbinë në situatë të rëndë të mos mund e zbatojë marrëveshjen që e kemi pranuar”, tha para gazetarëve në Beograd Daçiq

Sipas tij referendumi nuk do të kishte kuptim, meqë serbët e Kosovës shihet qartë se nuk do ta pranonin rezultatin e shumicës.

Siç transmeton Koha.net njoftimet e medieve të Beogradit nga konferenca me gazetarët e kryeministrit serb, Daçiq ka thënë se të gjitha hulumtimet e opinionit publik tregojnë se marrëveshja mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës mbështetet nga shumica e qytetarëve të Serbisë.

“Nëse është ashtu, askush s’mund ta shtyjë Serbinë drejtë shkatërrimit të mëtejshëm”, ka thënë kryeministri serb, duke shtuar se marrëveshja duhet të zbatohet.

Daçiq ka shtuar se Qeveria e Serbisë i ka të gjitha mekanizmat për ta zbatuar Marrëveshjen, porse nuk dëshiron t’i aplikojë.

“Mekanizmi është i thjeshtë: heq pagat, mbyll vendet e punës dhe ja kështu zgjidhet problemi i institucioneve paralele”, citon Koha.net Daçiqin, i cili shton se këtë nuk dëshiron ta bëjë dhe prandaj vazhdon të bisedojë me serbët e pjesës veriore të Kosovës.  

 Ai ka porositur serbët e Kosovës se duhet “të merren me Prishtinën dhe jo me Beogradin”.

“A kujton vërtet ndokush se ne jemi të marrë, ata duhet të merren me Prishtinën dhe jo me Beogradin… Ngatërresa me tërë botën s’është zgjidhje, sikundër as ngatërresa me Beogradin”, ka thënë Daçiq. (LajmeShqip.com)