Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 13:07

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria e tij “nuk e ka shitur Kosovën” dhe se “ajo është pjesë përbërëse e Serbisë”.

I pyetur nga mediat serbe nëse Serbia ka tradhtuar luftërat ballkanike, Daçiq ka thënë se “territori i Serbisë sot është më i madh sesa në fund të atyre luftërave”.

“Ne nuk e shesim Kosovën. Ajo është pjesë përbërëse e Serbisë, por duhet mbijetuar. Edhe në kohën e shumë pjesëtarëve të familjes Karagjorgjeviq, Kosova nuk ka qenë në Serbi, por e kemi kthyer”, ka thënë Daçiq, siç transmeton REL.

Të hënën, Daçiq ka thënë se organizimi eventual i referendumit për Marrëveshjen e Brukselit nuk do të duhej të shtynte zbatimin e saj.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre më 19 prill, në Bruksel.

Ideja për referendumin rreth marrëveshjes ka lindur pas takimit që liderët e komunave veriore të Kosovës kanë zhvilluar javën e kaluar me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Daçiq, përkatësisht Aleksandar Vuçiq.

Liderët e komunave veriore të Kosovës kanë insistuar që Serbia të përcaktohej nëse është për marrëveshjen apo për mbajtjen e Kosovës në Serbi, pasi që me marrëveshjen ata mendojnë se do të shkëputen nga shteti serb dhe do integrohen në shtetin e Kosovës.

Serbët e veriut do të takojnë prapë sot zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, në Beograd.

Serbët e Kosovës sot në Beograd

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të takojnë sot në Beograd përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, për të biseduar rreth Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas mediave serbe, në takim do të marrin pjesë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, ndërsa përveç përfaqësuesve të serbëve të veriut, në tryezë do të jenë edhe përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në jug të Lumit Ibër.

Takimi do të jetë përpjekje për të afruar qëndrimet aktualisht të largëta midis serbëve të Kosovës dhe Qeverisë në Beograd, rreth Marrëveshjes së Brukselit.

Të parët konsiderojnë se “marrëveshja Thaçi-Daçiq” i ndan ata nga Serbia, ndërsa të dy dytët thonë se ajo u garanton atyre më shumë të drejta.

Daçiq ka shfaqur dëshirën për arritjen e unitetit, por nuk ka përjashtuar referendumin si një hap në këtë drejtim.(LajmeShqip.com)