Lajme Shqip Sunday, 14 April 2013 11:33

Beograd – Serbia do të vazhdojë bisedimet nëse është nevoja edhe pa ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian me Kosovën. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se zgjidhje tjetër për problemin e Kosovës përveç bisedimeve nuk ka.

“Ne do të flasim edhe direkt nëse është nevoja pasi problemi i Kosovës është problem i Beogradit dhe Prishtinës, ne duhet ta gjejmë një mënyrë për zgjidhje”, ka thënë Daçiq.

Serbia, ende nuk e di nëse do të marrë datën e fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian, por sipas zyrtarëve serb, është me rëndësi që të gjendet një mundësi për të krijuar një zgjidhje.

Mediat spekulojnë se shefja për Politikë dhe Siguri të Jashtme e Bashkimit Evropian ka mundësi ta vizitojë Beogradit për të marrë përgjigje zyrtare dhe për ta inkurajuar në rishikimin e ofertës së deri tanishme.

Një gjë është e paqartë në Serbi nëse liderët kanë një qëndrim të përbashkët për bisedimet pasi nuk ka më oferta për zgjidhje nga ana serbe.

Pala kosovare dhe ajo serbe nuk bien dakord në pikën që parashikon kompetencat për asociacionin e komunave serbe, me Prishtinën që refuzon kompetencat ekzekutive dhe Beogradin që i kërkon me ngulm ato.(LajmeShqip.com)