Lajme Shqip e Diel, 27 Maj 2012 22:27

Beograd – Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë Ivica Daçiç ka deklaruar sot se disa vende të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë ta kushtëzojnë integrimin e mëtejmë evropian të Serbisë jo me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, por me njohjen faktike të saj.

“Kjo do të thotë se askush nuk do të na detyrojë të njohim pavarësinë e Kosovës, por do të na imponojnë vendime që ajo (Kosova) të konsiderohet vend sovran dhe i pavarur”, njoftojnë mediat serbe.

“Politika për Kosovën duhet të jetë reale dhe e bazuar në interesat e popullit serb në Kosovë. Jemi robër  të të kaluarës për shkak të të cilës mund ta humbasin edhe të tashmen edhe të ardhmen e popullit tonë në Kosovë. Ata që thonë se Kosova mbrohet te Prizreni dhe Gjakova nuk duan të thonë se nuk duan ta mbrojnë Serbinë te Mitrovica e Zubin Potoku për shkak së dëshirojnë që vija administrative të bëhet vijë kufitare”, ka thënë Daçiç.

Ai ka vlerësuar se Serbia duhet të braktisë konceptin e politikës që e ka për Kosovën sepse ai nuk shpie askund. “Duhet të dimë ç’mbrojmë dhe ç’duam dhe këtë duhet ta mbrojmë. Ne tani nuk po e dimë as çfarë të mbrojmë dhe as çfarë duam. Duhet të kemi qeveri e cila të gjithëve në Evropë do t’i thotë cilat janë interesat tanë kombëtarë”, tha Daçiç. (LajmeShqip.com)