Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 12:25

Prishtinë- Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe një delegacion i Ministrisë për FSK-në, me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë, do të marrin pjesë në punimet e konferencës së ministrave të mbrojtjes së vendeve të rajonit “SHBA-Karta e Adriatikut”, e cila do të mbahet sot dhe nesër në Shkup.

Organizator i Konferencës “SHBA-Karta e Adriatikut”, këtë vit është ministri i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Fatmir Besimi.  Tema e konferencës do të jetë “Sfidat dhe zgjidhjet e përbashkëta”, bëjnë të ditur mediat kosovare duke iu referuar ministrisë kosovare.

Qëllimi i konferencës së ministrave të mbrojtjes së vendeve të rajonit, është nxitja e dialogut dhe shkëmbimeve. Ministri Çeku fillimisht u takua me delegacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Celeste Walender, zëvendës sekretare e Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euro-Azi.

Po ashtu ministri i FSK-së Agim Çeku u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ante Kontromanoviq, pastaj me atë të Malit të Zi, Milica Pejanoviq-Gjurishiq si edhe me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes të Sllovenisë të kryesuar nga Primoz Savc, drejtor gjeneral i Drejtoratit të Politikave të Mbrojtjes. Në të gjitha këto takime që zhvilloi ministri Çeku me homologët u bisedua për bashkëpunimin regjional si edhe për mbështetjen për proceset për FSK-në në NATO. (LajmeShqip.com)