Lajme Shqip Saturday, 30 March 2013 19:39

Shkup – Në komunën e Çairit do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve, pasi që KSHZ ka pranuar ankesën e PDSH-së për parregullësi në 13 vendvotime.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) miratoi vendimin dhe pas verifikimit të materialit zgjedhor, është konstatuar se në 13 vendvotime ka pasur parregullësi zgjedhore. PDSH si propozuese e ankesës ka theksuar se rezultate të gabuara ishin shkruar në proceserverbalet në këto vendvotime dhe se sipas tyre, vota të VMRO-DPMNE dhe PDSH ishin përfshirë në konton e BDI. 

Sipas kodit zgjedhor, nuk do të ketë rivotime në këtë komunë dhe këto vendvotime, por drejtpërdrejt do të shkohet në raundin e dytë, pasi që kandidati i BDI-së, Izet Mexhiti i shpallur si fitues nga KSHZ që në raundin e parë, tanimë humbë cenzusin prej mbi 50 për qind dhe me këtë do të shkojë në raundin e dytë me kundërkandidatin nga radhët e PDSH-së, Muhamed Thaçi. PDSH ka theksuar se në mënyrë plotësuese  do të vlerësojë se a do të ngrejë kallëzim penal për këto parregullësi. KSHZ deri në orët e para të mëngjesit kanë verifikuar dhe numëruar votat nga vendvotimet në Çair. (INA)

08:14 - Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) vendosi mbrëmë që të bëhet verifikimi dhe inspektimi i materialit votues në Çair, për të vlerësuar se a janë të besueshme rezultatet zgjedhor nga raundi i parë i zgjedhjeve në këtë komunë. 

Ankesa për këtë komunë është bërë nga PDSH-ja, e cila përmes përfaqësuesit e saj ka mbrojtur qëndrimin se në këtë komunë janë bërë falsifikime.

Në rast se do të vërtetohen këto vlerësime, atëherë është e mundur që edhe në këtë komunë të ketë raund të dytë. Sipas rezultateve zyrtare preliminare të KSHZ-së, në këtë komunë ka fituar që në raundin e parë kandidati i BDI-së, Izet Mexhiti. 

KSHZ mbrëmë pranoi edhe ankesën e PDSH-së për komunën e Dollnenit, ku do të ketë rivotime në një vendvotim, edhe ate në fshatin Llazhan. Nga këto rivotime do të dihet se në raundin e dytë a do të shkojë kandidati i BDI-së apo i PDSH-së, të cilët janë në afërsi me vota dhe se cili do të shkojë në balotazh me kandidatin e VMRO-DPMNE. (INA/LajmeShqip.com)