|
|
e Mërkurë, 12 Tetor 2011 07:31 Shkup – Në përputhshmëri me kornizën ligjore, Ministria e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë filloi me lëshimin e çertifikatave në gjuhën shqipe edhe në qytetin e Shkupit.
Në hapësirat e komunës së Çairit, dje ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti mori pjesë në lëshimin e certifikatës së parë të lindjes në gjuhën shqipe nga njësia rajonale e Ministrisë së Drejtësisë në komunën e Çairit, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Me rastin e dhënies së certifikatës së parë të lindjes të banorëve nga komuna e Çairit ministri Bexheti tha se qytetarët shqiptarë që jetojnë në Qytetin e Shkupit tani më praktikisht mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që dokumentët personale që jepen nga Ministria e Drejtësisë siç janë certifikata e lindjes, certifikata e statusit martesor dhe dokumente të tjera që jep ky dikaster të kërkojnë dhe t’i marin në gjuhën shqipe.
Ministri Bexheti shtoi se që prej fazës së aplikimit deri në lëshimin e dokumentit do të bëhet konform drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe, që do të thotë se qytetarët shqiptarë në Shkup do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë gjuhën shqipe.
Më tej reth përdorimit të gjuhës shqipe, në pyetjen e gazetarëve se si i komenton reagimin e Gordana Jankullovkës lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, ministri Bexheti u përgjigj se ”Përdorimi i gjuhës shqipe është garantuar me kushtetutë dhe se kjo është punë e kryer, për më tepër unë si ministër edhe në Parlament edhe në komunikim me opinionin flas në gjuhës shqipe dhe kjo është e drejtë e çdo funksionari shqiptarë, duke shtuar se reth kësaj çështje kushtetuta është shumë e qartë, çka e vërteton edhe kjo ngjarje e ditës së sotme”, theksoi Bexheti.