Lajme Shqip Tuesday, 11 October 2011 17:53

Shkup – Një incident ka ndodhur sot para Degës së Partisë Demokratike Shqiptare në Çair të Shkupit, mes Valon Belës dhe Bekim Fazliut. Incidenti ka shpërthyer kur Bela, që ka theksuar se vijon të jetë nënkryetar i PDSH-së, është paraqitur pranë selisë së Degës në Shkup dhe ka bllokuar mbajtjen e një konference me gazetarët të deputetit Fazliu dhe kryetarit të Degës për Shkupin, Trim Reka.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu deklaroi për INA se ka ndodhur incidenti, me ç`rast ai është sulmuar nga Bela dhe një grup personash të tjerë.

“Ai tentoi të na sulmojë fizikisht mua dhe zyrtarët e tjerë të PDSH-së, por për hir të evitimit të ndonjë incidenti më të madh, ne u larguam dhe së shpejti do të kemi qëndrim zyrtar partiak”, deklaroi Fazliu, duke shtuar se rasti është paraqitur para organeve partiake.

Bela gjithashtu bëri të ditur se do të sqarojë detajet lidhur me ngjarjet e sotme.

Për këtë incident në Partinë Demokratike Shqiptare gjatë konferencës së sotme të shtypit nuk kanë dashur të prononcohen, me arsyetimin se kjo konferencë ishte vetëm për regjistrimin.

Bela një ditë më parë kërkoi dorëheqjen e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, për shkak të humbjes së vazhdueshme të zgjedhjeve dhe kontrollit personal të këtij subjekti. Ndërkohë, në PDSH thanë se Valon Bela ka kohë që është suspenduar nga të gjitha organet e partisë.