Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 15:49

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi eshte pritur sot ne nje takim me homologun maqedonas Nikola Poposki. Gjate takimit te perbashket Bumci ka evidentuar se marrëdhëniet solide e dinamike, të miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit reciprok janë një bilanc i shkëlqyer në raportet mes dy vendeve.

“Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë janë faktor stabiliteti, konsolidimi dhe progresi për vendin. Zbatimi i plotë në frymë dhe në gërmë i Marrëveshjes së Ohrit është kyç për vendin dhe përparimin në procesin e integrimit europian”- tha Bumci.

Nga ana e tij, Ministri Poposki u shpreh se 20 vjetori i marrëdhënieve diplomatike shënon një kapitull të shkëlqyer në marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë. Ai evidentoi frymën shumë të mirë të bashkëpunimit për trajtimin e çështjeve dypalëshe dhe perspektivën e përbashkët të integrimit europian.

Duke u ndalur tek infrastruktura dhe lëvizja e lirë, Ministri Poposki vlerësoi projektet e përbashkëta ndërkufitare me Shqipërinë, dhe u angazhua për hapjen e pikave të përbashkëta kufitare mes dy vendeve.

Të dy Ministrat ranë dakord për zhvillimin së shpejti të forumit të përbashkët të biznesit, dhe të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për të trajtuar me përparësi fushat e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në kuadër të zhvillimeve në rajon, të dy Ministrat përshëndetën marrëveshjen mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ministri Bumçi theksoi se kjo marrëveshje ka hapur një perspektivë të re edhe për rajonin, atë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal.

Ai vlerësoi qëndrimin e Maqedonisë ndaj Kosovës, dhe në veçanti për mbështetjen ndaj pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe me të drejta të plota të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, pasi kjo i shërben edhe perspektivës europiane dhe euratlantike të të gjithë rajonit.(LajmeShqip.com)