Lajme Shqip e Enjëte, 19 Korrik 2012 18:40

Bullgari - Atentati i një dite më parë në autobusin izraelit në Bullgari, ku humbën jetën 8 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, duket se ishte vepër e një kamikazi suedez.

Mediat izraelite bëjnë të ditur se kamikazi është identifikuar si Mehdi Ghezali, ekstremist i njohur islamik, i cili ka qenë prej vitit 2002 deri në 2004 i izoluar në burgun e Guantanamos.

Imazhet e ekstremistit, përpara se të futej në autobus, janë transmetuar sot në të gjitha mediat. Videoja është regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe në pamje duket një burrë i dobët, i bardhë, rreth 35-vjeç, i cili mban në shpinë një çantë të madhe dhe një laptop në dorë.

Sulmi ndodhi të mërkurën jashtë aeroportit në qytetin turistik të Detit të Zi Burgas, pasi turistët izraelitë, që sapo kishin arritur nga Tel Avivi hynë në autobusin dykatësh.

Ministria e Brendshme bullgare konfirmoi se gjashtë izraelitë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në shpërthim. Shoferi bullgar i autobusit është vrarë gjithashtu, së bashku me kamikazin, i cili ka pasur një patentë shoferi të falsifikuar nga shteti amerikan i Miçiganit.

Zyrtarët izraelitë kanë akuzuar Iranin dhe aleatin libanez Hezbollah se kanë urdhëruar sulmin. Televizioni shtetëror iranian e ka quajtur qesharake deklaratën. Shpërthimi në Burgas është sulmi më vdekjeprurës për qytetarët izraelitë jashtë vendit, që nga viti 2004, kur 12 izraelitë u vranë në një sulm me bombë në Gadishullin Sinai të Egjiptit. (LajmeShqip.com)