Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 15:48

Bruksel – Pasi të mbarojë mbledhja e partive popullore evropiane, anëtar i të cilëve është edhe VMRO-DPMNE, kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski do të takohet me kolegun e tij grek, Jorgos Papandreu.

Ky është takimi i tyre bilateral i dhjetë me radhë  dhe i pari pas mbarimit të zgjedhjeve në Maqedoni, ku numrin më të madh të votave i mori partia e Gruevskit.

Sot në agjendën e ngjeshur në Bruksel, Gruevski para takimit me Papandreun do të takohet edhe me eurokomisarin për zgjerim Stefan Fyle. Nuk është hera e parë dy kryeministrat e shfrytëzojnë mundësinë kur rrugët yu kryqëzohen në Bruksel dhe realizojnë takim.

Gruevski në selinë e BE-së është për të marrë pjesë në samitin e partive popullore evropiane, kurse Papandreu në samitin e vendeve anëtare në BE e cila do të mbahet sot dhe nesër.

Nga takimet e deritanishme sy më sy të të dy kryeministrave, nuk është arritur asnjë përparim i dukshëm në bisedimet për çështjen e emrit. Takimet u vlerësuan si protokolle me qëllim që të dy palët të demonstrojnë vullnet të mirë. Këtë radhë, takimi do të jetë i ngarkuar në dritën e vendosjes së përmendores së Lekës së Madh në sheshin e Shkupit, e cila nga ana e grekëve ishte gjykuar si akt i lartë i provokimit, që i vështirësoi bisedimet për çështjen e emrit.